2 i Kronikave 31:4-12
Albanian Bible
4 Gjithashtu urdhëroi popullin, ata që banonin në Jeruzalem, t’u jepnin priftërinjve dhe Levitëve pjesën që u takonte, me qëllim që të tregoheshin të vendosur në ligjin e Zotit.
5 Sa u përhap ky urdhër, bijtë e Izraelit dhanë me shumicë prodhimet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të arave; dhe çuan një të dhjetë të bollshme nga çdo gjë.
6 Bijtë e Izraelit dhe të Judës që banonin në qytetet e Judës çuan edhe ata të dhjetën e lopëve dhe të deleve, po kështu edhe të dhjetën e gjërave të shenjta të shenjtëruara Zotit, Perëndisë të tyre, dhe krijuan me to shumë grumbuj.
7 Filluan t’i bëjnë grumbujt në muajin e tretë dhe e përfunduan këtë punë në muajin e shtatë.
8 Kur Ezekia dhe krerët erdhën për të parë grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij të Izraelit.
9 Pastaj Ezekia pyeti priftërinjtë dhe Levitët për grumbujt;
10 kryeprifti Azariah, nga shtëpia e Tsadokut, iu përgjigj: "Që kur filloi prurja e ofertave në shtëpinë e Zotit, kemi ngrënë sa jemi ngopur dhe kanë mbetur gjëra me shumicë, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo është sasia e madhe që ka tepruar".
11 Atëherë Ezekia i urdhëroi ata të përgatisnin disa dhoma në shtëpinë e Zotit. Ata i përgatitën,
12 dhe sollën aty me besnikëri ofertat, të dhjetën dhe gjërat e shenjtëruara. Levitit Konaniahu iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i vëllai, Shimei.
Read full chapter